Udhëtojmë mbrapa mbi shtatë dekada, në kërkim të poetes dhe shkrimtares së parë në artet letrare kosovare, aty ku edhe fillon letërsia jonë nga gratë krijuese. Mirëpo, kur flasim për letërsinë, në fakt, ku i ka rrënjët letërsia globale? Me Iliadën dhe Odisenë e Homerit, e cila u shkrua pothuajse 3000 vjet më parë, apo me Eposin e Gilgameshit, shkruar nga një poet i panjohur, para rreth katër mijë vjetëve, në Mesapotaminë e lashtë. E nëse kërkojmë të rrugëtojmë dhe të hulumtojmë periudhën para Homerit, pak gjasa kemi të hasim dhe të zbulojmë identitetin e autorëve. Porse, një gjë është e sigurt! Autori i parë në historinë botërore është gruaja e quajtur Enheduanna. Në letërsinë shqiptare, ndërkaq, edhe pse poeti i parë nuk i takon gjinisë femërore, ne mund të identifikojmë letraret kosovare, të cilat, ndonëse vepruan në rrethana aspak të lehta, arritën të shembnin mure dhe të ecnin krenare mbi to. Pas poeteshave tona më të para në letrat shqipe këtu te ne, Ganimete Nura e Nusrete Vula, Sevdije Boshnjaku e Nevzete Omeragaj, që u vijuan pastaj me shumë të tjera, si: Flora Brovina, Edi Shukriu, Miradije Ramiqi, Lindita Aliu, Sabile Keçmezi, Qibrije Demiri etj., në vazhdim ju ftojmë të zbuloni gjashtë rrëfime mbresëlënëse të shkrimtareve dhe poeteshave kosovare, veprat e të cilave gjithsesi duhet t’i lexoni gjatë jetës suaj. Veçuam një grup të vogël të shkrimtareve jashtëzakonisht të denja, që kanë pasuruar letërsinë kosovare me krijime domethënëse, me vështrime të thella dhe të qëndrueshme. Janë këto gjashtë autore - zonja të arteve letrare, të cilat admirohen për punën e tyre, patrembësinë, origjinalitetin dhe ndikimin e tyre në botën letrare e më gjerë.
Për burgosjet dhe pushkatimet pa gjyq, në Prishtinë dhe në mbarë Kosovën, Iffete Agushi krijoi poezi me përmbajtje politike, shumë të rëndësishme, në mesin e të cilave veçuam poezinë – Hapsana e Prishtinës.
Hida Halimi solli freski në letërsinë femërore shqiptare në Kosovë dhe u paraqit si krijuese me individualitet shprehës specifikisht, tematikisht, por edhe stilistikisht. U bë frymëzim, zonjë, që sfidoi, injoroi dhe rrënoi paragjykimet.
Edi Shukriu është zonjë e cila shembi paragjykimet për gruan shqiptare, u doli në ballë krizave politike dhe tërhoqi vëmendjen për çështje të rëndësishme të kohës, ndaj u shndërrua në personalitet të vërtetë kosovar .
Dashuria e poetes së pasionuar për artin, buron nga brendia si një formë e vetëshprehjes, ndaj ne mund të mësojmë për të përmes poezisë, të kërkojmë, të zbulojmë natyrshëm artin e sofistikuar bashkëkohor.
Përveç realizimit të librave për të rritur, Drenusha ka lexues nga më të çmuarit të planetit. Ajo realizon mrekullisht libra për fëmijë. Është një zhanër letërsie që kërkon shumë përkushtim dhe seriozitet të madh.
E diplomuar në fakultetin juridik, Ilirja, arriti të triumfojë në botën e letërsisë. Ajo sot konsiderohet të jetë një nga gratë më të shkathëta, ka arritur të renditet në mesin e poetëve dhe shkrimtarëve më të shquar kosovarë.
COPYRIGHT © 2019 - 2023 WWW.ZONJATFRYMEZUESEKOSOVARE.COM - ALL RIGHTS RESERVED.
Asnjë material nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjetër, pa leje të shkruar të autores. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.