Gjatë gjithë historisë kosovare, ka pasur gra udhëheqëse, të mahnitshme dhe frymëzuese, që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin dhe perceptimin e drejtë të rolit të gruas në shoqërinë tonë. Gratë shqiptare në Kosovë, për shumë dekada kanë luftuar për t’u dëgjuar zëri i tyre. Ato në vazhdimësi janë përpjekur të rrënojnë barrierat, të ndryshojnë mendësinë dhe të avancojnë shoqërinë tonë patriarkale në moderne. Andaj, me të drejtë thuhet se historikisht roli i gruas ka siguruar qëndrueshmëri, progres dhe evolucion afatgjatë. Në fakt, në një shoqëri demokratike garantimi i të drejtave gjinore është çështje thelbësore për arritjen e barazisë gjinore dhe zhvillimin kombëtar.
Nuk ka asgjë më me vlerë për një shoqëri sesa gruaja e fuqishme, e shkathët, e edukuar dhe e pavarur. Në kohën tonë, gratë po vërehen gjithnjë e më shumë për suksese të jashtëzakonshme në shumë fusha. Ato janë shndërruar në zonja vizionare, të cilat shquhen për profesionalizmin e tyre, janë burim i përparimit dhe zhvillimit të drejtë të shtetit.
Ato, me punën e tyre, kanë arritur të lënë gjurmë, të shndërrohen në ikona të njerëzimit, janë nxitëse të frymës së re, të cilat përdorin zërin e tyre për të zhvilluar demokracinë e mirëfilltë dhe për të krijuar paqe të qëndrueshme. Prandaj, avancimi i gjinisë femërore në fushën e kulturës, është thesar i rëndësishëm, ngase vetëm përmes ngritjes së kulturës mund të përcaktohen strategji efektive për krijimin e vlerave, normave dhe praktikave të dëshiruara.
Blinera Gashi, autore
COPYRIGHT © 2019 - 2023 WWW.ZONJATFRYMEZUESEKOSOVARE.COM - ALL RIGHTS RESERVED.
Asnjë material nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjetër, pa leje të shkruar të autores. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.